Të paktën nëntë shtete anëtare u shprehën kategorikisht kundër këtij vendimi. Vendimet për hapat në procesin e zgjerimit kërkojnë pajtimin e të gjitha vendeve anëtare. Holanda, Suedia, Belgjika, Finlanda, Kroacia, Bullgaria dhe tre vendet Baltike ishin kundër, ndërsa disa të tjera shprehën rezerva.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull negociues që nga fundi i vitit 2021. Komisioni Evropian kishte rekomanduar hapjen e grupit të kapitullit 3, duke theksuar se Serbia i ka përmbushur kriteret e nevojshme. Në një notë informuese, Komisioni vlerësoi angazhimin e Serbisë në dialogun me Kosovën, si dhe reformat në media, gjyqësor dhe përshtatjen me politikën e jashtme.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi rekomandimin e Komisionit Evropian në Parlamentin Evropian. Ajo deklaroi se Komisioni dëshiron që Serbia të përparojë në procesin e anëtarësimit. Megjithatë, Parlamenti Evropian ka një qëndrim tjetër, duke kërkuar ndalimin e fondeve për Serbinë për shkak të problemeve me sundimin e ligjit.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Piculla, theksoi se qeveria serbe po krijon dilema dhe tensione të reja me fqinjët. Ai vuri në dukje se nuk mund të flitet për përparim në dialogun me Kosovën nëse përgjegjësit për sulmin në Banjskë nuk sillen para drejtësisë. Parlamenti Evropian kritikoi gjithashtu Serbinë për forcimin e raporteve me Rusinë dhe presionin ndaj mediave. Një rezolutë që kritikon Serbinë u miratua me 468 vota pro, 116 kundër dhe 79 abstenime.