Holanda, Suedia, Belgjika, Finlanda, Kroacia, Bullgaria, Estonia, Lituania dhe Letonia kundërshtuan hapjen e këtij grupkapitulli, ndërsa disa vende të tjera shprehën rezerva. Vendimet për zgjerimin e BE-së kërkojnë pajtimin unanim të të gjitha vendeve anëtare.
Komisioni Evropian, në një notë informuese, vlerësoi angazhimin e Serbisë në dialogun me Kosovën dhe reformat në media, gjyqësor dhe përshtatjen me politikën e jashtme. Sipas Komisionit, Serbia i ka përmbushur kriteret e nevojshme. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, konfirmoi rekomandimin për hapjen e grupkapitullit 3, duke theksuar dëshirën për të parë Serbinë të avancojë.
Megjithatë, Parlamenti Evropian ka një qëndrim tjetër. Ai kritikoi Serbinë për problemet me sundimin e ligjit, marrëdhëniet me Kosovën dhe forcimin e raporteve me Rusinë. Raportuesi për Serbinë, Tonino Piculla, theksoi se nuk mund të flitet për përparim në dialog pa sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë. Parlamenti madje ka kërkuar ndalimin e fondeve për shkak të prapakthimit në sundimin e ligjit. Një rezolutë që kritikon Serbinë u miratua me 468 vota pro.
Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull negociator që nga fundi i vitit 2021. Dialogu me Kosovën, bashkë me sundimin e ligjit, mbetet parakusht kyç për avancimin e saj në procesin e anëtarësimit në BE.