Më 6-7 nëntor 1992, në Bit Pazar të Shkupit, policia maqedonase vrau katër persona, tre shqiptarë dhe një grua maqedonase, si dhe plagosi së paku 16 të tjerë. Gjatë operacionit, policia rrahu dhe maltretoi qindra shqiptarë, duke arrestuar 128 prej tyre. Tetëdhjetë e katër persona u dënuan me 30 ditë burg, katër të mitur me gjobë, dhe ndaj 28 të tjerëve u ngritën padi penale. Policia përdori 3182 fishekë dhe 483 mjete kimike, veprime të cilat MPB i cilësoi si ligjore, ndërsa Forumi Demokratik për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut i konsideroi shkelje të rënda penale.
Presidenti i atëhershëm, Kiro Gligorov, mohoi motivet ndëretnike, duke i quajtur demonstruesit shqiptarë “elementë ekstremistë”. Ngjarjet nxitën reagime të fuqishme nga partitë politike dhe shoqëria civile shqiptare në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi. Partia Demokratike Popullore (PPD) dënoi dhunën policore më 7 nëntor, ndërsa Bashkësia Islame e Maqedonisë e cilësoi një provokim të qëllimshëm. Qeveria shqiptare protestoi energjikisht në Vjenë, në Forumin e KSBE-së, duke dënuar veprimet e autoriteteve maqedonase.
Ngjarjet e Bit Pazarit shkaktuan një krizë dhe përçarje të thellë brenda PPD-së, subjektit më të madh politik shqiptar në Maqedoni. Reagimi zyrtar i PPD-së erdhi me vonesë, më 10 nëntor, ku kryetari Nevzat Halili deklaroi se PPD “nuk i arsyeton veprimet e vrazhda”, por përmendi si shkak “sjelljen brutale ndaj të miturit Ali Sejdiu”. Ai shprehu zhgënjimin për “pritjen e keqe” nga Qeveria dhe MPB-ja. Megjithatë, PPD nuk kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Lubomir Fërçkovski, i cili kishte deklaruar se ngjarjet qenë “të organizuara” nga shtetas të huaj. Kjo mungesë reagimi theksoi përçarjet brenda PPD-së, ku një fraksion mbështeste pjesëmarrjen në qeveri pa kërkuar autonomi për shqiptarët, duke dëmtuar kredibilitetin e partisë.