Zonja Ajdari, koordinatore e grupit parlamentar të “Frontit Europian”, deklaroi se bisedimet e fundit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dështuan për shkak të tërheqjes së disa partive nga marrëveshjet paraprake. Ajo theksoi se BDI-ja ka qenë pjesë aktive dhe konstruktive e grupit të punës për disa muaj, ku u arritën kompromise për çështje thelbësore.

Sipas Ajdarit, propozimi i dakorduar u dorëzua në Kuvend dhe u nënshkrua nga BDI-ja në formën e rënë dakord brenda grupit të punës. Megjithatë, pas dorëzimit, VMRO-DPMNE-ja u tërhoq nga dy pika kyçe: votimi elektronik i diasporës, duke kërkuar votim me postë, dhe miratimi i rregulloreve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për votimin elektronik të diasporës me konsensus, duke kërkuar miratim me shumicë votash.

Për BDI-në, këto ndryshime janë të papranueshme, pasi, sipas Ajdarit, ato krijojnë hapësirë për “inxhinieri politike dhe mbivotim”, duke sjellë si shembull rastin e vitit 2024 kur anëtarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, u mbivotua nga përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe VLEN-it. Ajdari theksoi rëndësinë e miratimit të çdo ndryshimi në Kodin Zgjedhor me konsensus ndëretnik dhe ndërpartiak.