Projektligji për Paralajmërimin e Hershëm dhe Ristrukturimin Parandalues të Shoqërive Tregtare zhvendos fokusin nga falimentimi në parandalimin e tij. Ky legjislacion parasheh një sistem të paralajmërimit të hershëm, ku kompanitë do të monitorojnë likuiditetin, aftësinë paguese, rrjedhën e parasë dhe përmbushjen e detyrimeve financiare.
Qëllimi kryesor është t'u mundësohet bizneseve me vështirësi të përkohshme të ristrukturohen në kohë, të ruajnë aktivitetin ekonomik dhe vendet e punës. Njëkohësisht, kreditorët do të gëzojnë mbrojtje më të madhe.
Ndryshime të rëndësishme lidhen me përgjegjësinë e drejtuesve të kompanive. Ata do të jenë të detyruar të mbikëqyrin gjendjen financiare dhe, në rast rreziku insolvent, duhet të njoftojnë kreditorët brenda 15 ditësh. Mosreagimi në kohë ose veprimet që dëmtojnë kreditorët do të mbartin përgjegjësi për dëmin e shkaktuar.
Kontabilistët gjithashtu marrin përgjegjësi të reja. Ata duhet të përgatisin pasqyra financiare çdo tre muaj, projeksione 12-mujore të fluksit të parasë dhe të paralajmërojnë me shkrim menaxhmentin për rrezikun e falimentimit. Megjithatë, ata nuk mbajnë përgjegjësi për vendimet afariste të drejtuesve, nëse veprojnë profesionalisht.
Nëse një kompani vlerëson rrezik falimentimi, mund të nisë vetë procedurën e ristrukturimit parandalues. Menaxhmenti zhvillon negociata me kreditorët për një plan që mund të përfshijë riprogramim borxhesh, shtyrje ose ulje detyrimesh, dhe financim të ri.
Një risi është mundësia që gjykata të konfirmojë planin edhe pa konsensusin e të gjithë kreditorëve, nëse plotësohen kushte të caktuara. Kjo synon të parandalojë bllokimin e shpëtimit të kompanive nga një numër i vogël kreditorësh. Nëse të gjithë kreditorët bien dakord, marrëveshja certifikohet nga noteri, duke pasur fuqi ekzekutuese pa ndërhyrjen e gjykatës. Rregullat e reja nuk aplikohen për bankat, shoqëritë e sigurimeve dhe institucione të tjera financiare.