Fushata e korrje-shirjeve të grurit po zhvillohet në gjithë Kosovën. Zyrtarët shtetërorë kanë vlerësuar se rendimentet e këtij viti do të jenë më të larta se kërkesat për konsum. Ministri në detyrë i Bujqësisë deklaroi se Kosova pritet të sigurojë 400 mijë tonë grurë, duke tejkaluar nevojat për konsum.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, vizituan një fermer në Podujevë. Fermeri Malësor Sejdiu, me 140 hektarë të mbjellë, pret 840 mijë kilogramë rendiment. Kurti theksoi se një hektar i mbjellë me grurë pritet të japë 4 deri në 5 tonë drithë, ndërsa procesi i korrjes pritet të përfundojë deri në fund të korrikut ose në javën e parë të gushtit.

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, i cilësoi deklaratat e ministrit Muja si propagandë politike të viteve '80. Ajo shprehu shqetësimin se retorika e “vetëmjaftueshmërisë 125%” dhe “sigurimit të bukës” e largon Kosovën nga standardet evropiane.

Autoritetet raportojnë se këtë vit janë mbjellë mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilave rreth 72 mijë hektarë me grurë. Megjithatë, të dhënat nga Anketa e Ekonomive Bujqësore 2025, publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në qershor, tregojnë 82 mijë hektarë të mbjellë me grurë, me një prodhim prej gati 380 mijë tonësh, apo 4.6 tonë për hektarë.