Dario Simic, ish-mbrojtës i Interit dhe Milanit, është arrestuar në Kroaci, së bashku me dy persona të tjerë. Arrestimet erdhën pas raportimeve për leje ndërtimi të siguruara në mënyrë të paligjshme dhe korrupsion.
Çështja fokusohet te ndërtimi i një kampingu në Tisno. Simic dyshohet se ndërtoi kampingun në mënyrë të paligjshme, duke korruptuar zyrtarë publikë. Mediat lokale publikuan fotografi të ish-futbollistit me pranga.
Sipas informacioneve, një ish-zyrtare rajonale e turizmit dhe një sipërmarrës vendas u arrestuan gjithashtu. Autoritetet kroate konkluduan se gjatë viteve 2020-2021, ish-zyrtarja Neda Livljanić miratoi ndërtimin e kampingut, edhe pse një pjesë e truallit nuk ishte e lejuar për ndërtim dhe nuk plotësonte kriteret urbanistike ligjore.