Zjarri i ndezur mbrëmjen e djeshme në Shëngjin ka çuar në arrestimin e autorit të dyshuar. Lajmi u bë i ditur pas identifikimit dhe vënies para përgjegjësisë ligjore të personit të përfshirë.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se zjarri vijon të jetë aktiv, por me intensitet më të ulët. Gjatë gjithë natës është punuar pa ndërprerje për izolimin e flakëve. Në terren janë angazhuar 7 mjete zjarrfikëse nga Lezha, Vau i Dejës, Shkodra, Mirdita dhe Porti i Shëngjinit.
Operacioni po mbështetet nga efektivë dhe autobotë uji të Forcave të Armatosura, punonjës të Shërbimit Pyjor, të shërbimeve publike dhe të Emergjencave Civile të Bashkisë Lezhë. Gjithashtu, një helikopter i Forcave të Armatosura po ndërhyn nga ajri. Koordinimi i strukturave ka ndihmuar në uljen e ndjeshme të intensitetit të zjarrit. Puna vazhdon për shuarjen e plotë të vatrave aktive.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të përgjegjshëm dhe të respektojnë masat për parandalimin e zjarreve, si dhe të njoftojnë menjëherë për çdo rast të dyshimtë.