Gjatë seancës së sotme gjyqësore për rastin “Pulse”, u paraqitën prova nga ekspertizat e telefonave të të pandehurit kryesor Dejan Jovanov dhe djalit të tij, Mihajllo Jovanov. Këto dëshmi përfshinin lista thirrjesh dhe mesazhesh.

Një pjesë e komunikimit tregonte se Mihajllo njoftonte babanë e tij për kontrolle nga policia në diskotekë, lidhur me praninë e të miturve. Dejan Jovanov i ishte përgjigjur: “Në rregull, le të jenë të pranishëm, ka shumë të mitur, ne gjithsesi do ta çojmë kompaninë në falimentim.”

Po ashtu, u prezantuan komunikime për njoftime rreth kontrolleve të inspektorëve të DAP-it në diskotekë. Aktualisht, këta inspektorë janë nën hetim në Koçan.

Këto lloj komunikimesh vazhduan për rreth pesë vjet, nga viti 2020 deri në mars të vitit 2025, kur shpërtheu zjarri në diskotekën “Pulse”. Ky zjarri konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e vendit. Zjarri ndodhi më 16 mars 2025, gjatë një performance të grupit DNK.

Në këtë çështje, janë akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Mes tyre përfshihen pronari i “Pulse”, persona të afërt me të, inspektorë shtetërorë, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë së sigurisë, si dhe pronari i saj. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në fillim të procesit gjyqësor dhe kanë kundërshtuar lidhjen shkak-pasojë mes veprimeve të tyre dhe zjarrit fatal.