Zjarri masiv nisi pranë vendit të quajtur “Azotiku” në Drizë dhe u përhap drejt Qafës së Koshovicës. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara pranë fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë, Myrtezaj dhe Plyg.
Shërbimet e Policisë evakuuan 11 familje për shkak të rrezikut të përhapjes së zjarrit dhe po monitorojnë zonën. Një banesë u përfshi nga flakët, por dëmet materiale ishin të vogla. Policia Rrugore bllokoi qarkullimin në të dy drejtimet e segmentit “Qafa e Koshovicës–Cakran” dhe po asiston zjarrfikësit.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të asfiksuar. Forcat e Policisë, përfshirë “Shqiponja” dhe Patrullat e Përgjithshme, së bashku me Forcën Kombëtare të Sigurisë dhe drejtues të Policisë Fier, po menaxhojnë situatën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve shoqëruan dy shtetas të dyshuar për shkaktimin e zjarrit. Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë. Forcat zjarrfikëse dhe Policia e DVP Fier, me mbështetjen e helikopterëve të Forcave të Armatosura, po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve.