Vatra e zjarrit nisi fillimisht pranë zonës së quajtur “Azotiku” në Drizë, e më pas u përhap në Qafën e Koshovicës. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara pranë fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg.

Për shkak të përmasave të zjarrit dhe erës së fortë, Policia evakuoi 11 familje dhe vazhdon monitorimin e banesave e subjekteve të tjera në rrezik. Qarkullimi i mjeteve është bllokuar në të dy kahet e rrugës “Qafa e Koshovicës–Cakran”.

Nuk është raportuar asnjë rast asfiksie apo lëndimi. Flakët që kishin përfshirë një banesë u shuan, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.

Për shuarjen e zjarrit po punojnë forcat zjarrfikëse, helikopterë të Forcave të Armatosura dhe dhjetëra efektivë të Policisë së Fierit, përfshirë forcat “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, Policinë Rrugore dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Në vendngjarje është edhe ekipi i urgjencës së spitalit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Fierit kanë shoqëruar dy persona të dyshuar për shkaktimin e zjarrit. Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për grumbullimin e provave dhe dokumentimin e rastit.