Një zjarr i madh shpërtheu të premten në mëngjes pranë vendpushimit turistik të Costa Brava, në komunitetin La Bisbal d’Empordà, afër Gironas. Flakët kanë shkrumbuar rreth 22 mijë hektarë, kryesisht sipërfaqe pyjore. Autoritetet spanjolle dyshojnë se zjarri është shkaktuar nga neglizhenca.

Shërbimi zjarrfikës i Katalonjës njoftoi se 70% e frontit të djathtë të zjarrit është vënë nën kontroll gjatë natës. Rreth 400 zjarrfikës, të mbështetur nga mjete ajrore, vazhdojnë operacionet në terren. Qëllimi është stabilizimi i plotë i situatës, para ndryshimit të kushteve të erës.

Për shkak të rrezikut, autoritetet kanë vendosur shtetrrethim në shtatë komunitete të zonës. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet drejt rajonit të prekur.