Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, duke theksuar se periudha e ardhshme ka potencialin më të lartë për përhapjen e zjarreve. AME njoftoi se nga janari deri në maj të këtij viti janë shënuar 2088 vatra zjarri. Raste më të shpeshta janë zjarret fushore, veçanërisht ato të mbetjeve bujqësore, të cilat shpesh shtrihen edhe në zjarre pyjore. Vitin e kaluar, 4566 hektarë tokë bujqësore janë djegur.
Komandanti i Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, u kërkoi qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, të mos hedhin cigare të ndezura apo mbeturina në natyrë dhe të raportojnë çdo vatër zjarri. Ai theksoi rëndësinë e respektimit të udhëzimeve të zjarrfikësve gjatë intervenimeve, mos bllokimin e rrugëve dhe mos rrezikimin e jetës duke u afruar pranë zonave të djegura.
Meteorologu Besim Aliu nga IHMK tha se gjysma e dytë e korrikut dhe pjesa më e madhe e gushtit janë periudha me potencialin më të lartë për zjarre. Rajonet më të ekspozuara janë Rrafshi i Dukagjinit dhe Anamorava. Ambientlisti Valon Raka paralajmëroi për humbje të mëdha në bujqësi dhe blegtori, si dhe rrezik për shëndetin publik dhe rezervat ujore nga tymi toksik dhe hiri.
Paralajmërimet vijnë ndërsa Shqipëria po përballet me zjarre të shumta. Ministria e Brendshme atje ka raportuar 127 raste zjarri, duke shkaktuar evakuime banorësh në Fier dhe dëme në Porto Palermo. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar gjithashtu një valë të re të të nxehtit pas rekordeve të qershorit.