Shtatë departamente në jug të Francës janë nën alarm të kuq për rrezikun e lartë të zjarreve pyjore, ndërsa 41 zona të tjera janë në alarm portokalli. Një zjarr i madh ka shpërthyer në Pirenejtë Lindorë, duke prekur të paktën 4,600 hektarë në Treville dhe duke detyruar evakuimin e banorëve nga 26 komuna.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, do të vizitojë sot Pirenejtë Lindorë për të inspektuar situatën. Ai deklaroi se viti aktual ka qenë i ndërlikuar, me mbi 11,000 hektarë të djegura deri më tani, krahasuar me 5,700 hektarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për shkak të zjarrit në Pirenejtë Lindorë, etapa e sotme e Turit të Francës është ndryshuar dhe do të zhvillohet pa spektatorë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se katër aeroplanë zjarrfikës nga flota RescEU do të vendosen në Francë. Disa linja treni mbeten jashtë funksionit.
Në rajonin Ero, më shumë se 100 zjarrfikës janë në terren, duke luftuar mbi 30 zjarre. Në Karlenkas dhe Lekas, 200 zjarrfikës po punojnë në terren të pjerrët; një zjarrfikës pësoi djegie të lehta. Presidenti francez, Emmanuel Macron, shprehu solidaritetin me qytetarët e prekur dhe falënderoi zjarrfikësit, duke u bërë thirrje të respektohen udhëzimet e sigurisë.