Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) koordinoi operacionet për përballimin e 16 vatrave të zjarrit. Zjarret janë shënuar në zona si Hajdaraj–Synej (Kavajë), Drizë–Peshtan (Fier), Tale (Lezhë), Ulën (Elbasan) dhe Divjakë.
Në operacionet ndërhynë 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe mjete të Forcave të Armatosura. Gjithashtu, u angazhuan struktura të Policisë së Shtetit, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, shërbimeve pyjore dhe emergjencave civile vendore. Ndërhyrja u krye si nga toka ashtu edhe nga ajri.
Forcat e angazhuara punuan në kushte të vështira për të mbrojtur banesat, jetën e qytetarëve dhe sipërfaqet pyjore. Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm nga AKMC, me forcat në terren që do të vijojnë ndërhyrjet deri në izolimin përfundimtar të të gjitha vatrave.