Zjarre të shumta kanë përfshirë Portugalinë dhe Greqinë gjatë së dielës, duke mobilizuar qindra zjarrfikës. Spanja dhe Italia kanë dërguar ndihma për shuarjen e flakëve në Portugali.

Në Greqi, autoritetet kanë udhëzuar banorët e disa zonave në Selanik, qyteti i dytë më i madh, të qëndrojnë brenda dhe të mbyllin dritaret e dyert. Kjo masë vjen për shkak të tymit toksik të shkaktuar nga zjarri në një fabrikë riciklimi në periferi të qytetit.

Në Vouzela të Portugalisë qendrore, mbi 1.200 zjarrfikës, të mbështetur nga afro 400 automjete dhe 15 avionë, po përpiqen të kontrollojnë një zjarr të shpërthyer të enjten. Sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile dhe agjencisë satelitore të BE-së “Copernicus”, zjarri ka djegur rreth 12.000 hektarë tokë deri të dielën.

Bashkimi Evropian njoftoi se Spanja ka dërguar 120 zjarrfikës dhe 45 automjete në Portugali. Italia dhe Spanja kanë vënë në dispozicion edhe tre avionë zjarrfikës për të ndihmuar në operacionet e shuarjes së zjarreve.