Policia e Lezhës arrestoi Bashkim Aliaj, 57 vjeç, i dyshuar se shkaktoi një zjarr të madh në Malin e Shëngjinit. Ngjarja ndodhi më 3 korrik në zonën “Sagë”, ku Aliaj dyshohet se ndezi zjarr për djegien e mbeturinave pranë subjektit të tij tregtar. Zjarri doli jashtë kontrollit dhe u përhap në masivin pyjor.

Gjatë përhapjes së flakëve, një predhë e pashpërthyer, e ndodhur në tokë, shpërtheu nga temperaturat e larta. Si pasojë, A. U., 30 vjeç, u dëmtua lehtë ndërsa udhëtonte me automjet në zonë. Ai mori ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet zbuluan se DVR-ja e kamerave të sigurisë në subjektin e të dyshuarit ishte hequr, dyshohet për të penguar hetimin. Aliaj akuzohet për "Shkatërrim prone nga pakujdesia", "Shkatërrim nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor", "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" dhe "Plagosje e lehtë nga pakujdesia".

Policia u ka bërë apel qytetarëve për kujdes maksimal gjatë verës, duke theksuar se çdo zjarrvënie do të ndëshkohet sipas ligjit dhe ka inkurajuar denoncimin e rasteve në numrin 112.