Kandidati Zejnullah Gashi është vlerësuar me 91.6 pikë, duke u pasuar nga Atdhe Dema me 89.3 pikë dhe Naim Abazi me 89 pikë. Rafet Halimi mori 87 pikë, ndërsa Shqipdon Fazliu 86.5 pikë.

Gjatë intervistave, kandidatët theksuan rëndësinë e pavarësisë funksionale, një sistemi të ri vlerësimi të performancës dhe menaxhimit efikas të lëndëve në prokurori.

Bedri Gashi, udhëheqës i Njësisë për Komunikim me Publikun në Këshillin Prokurorial (KPK), deklaroi se pas përfundimit të procedurave, lista e kandidatëve do të procedohet për votim në KPK. Kjo do të ndodhë në përputhje me Rregulloren për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive, pas afatit për kundërshtime dhe shqyrtimit të tyre. Mbledhja e KPK-së do të thirret në përputhje me rregullat dhe procedurat në fuqi.

Zejnullah Gashi premtoi se do të jetë zëri i prokurorëve dhe kryeprokurorëve në KPK dhe garantues i ligjshmërisë. Atdhe Dema u zotua për rritjen e pavarësisë financiare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Naim Abazi do të fokusohet në ngritjen e cilësisë së aktakuzave dhe hetimeve, veçanërisht për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Rafet Halimi propozoi një platformë për incizimin e bisedave mes prokurorit dhe hetuesit, ndërsa Shqipdon Fazliu premtoi një prokurori moderne, transparente dhe efikase për kthimin e besimit publik.

Që nga tetori i vitit 2023, institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit drejtohet nga ushtrues detyre, pasi presidentja e atëhershme nuk dekretoi Blerim Isufajn për shkak të shkeljeve procedurale gjatë përzgjedhjes.