Operacioni i koduar “Koordinimi”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Divjakë, solli zbulimin e një ambienti të përshtatur për tharjen dhe përpunimin e kanabisit në zonën e “Rezervuarit të Divjakës”. Gjatë kontrolleve, nga toka dhe ajri me dronë, u gjetën 37 kilogramë kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë në formë boçesh.
Gjithashtu, në të njëjtin vend, u zbuluan dhe 1426 bimë kanabisi të kultivuara. Një pjesë e bimëve u asgjësua në vend, ndërsa pjesa tjetër dhe e gjithë lënda narkotike u sekuestruan si provë materiale. Policia ka shpallur në kërkim autorët e kultivimit.
Materialet u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për tre punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Fier, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Këta janë E. T., 33 vjeç, përgjegjës sektori; F. H., 37 vjeç, specialist menaxhimi; dhe G. A., 53 vjeç, roje. Hetimet po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës për kultivimin e lëndës narkotike.