Gjykata Themelore në Prishtinë, më 8 korrik 2026, shpalli aktgjykimin ndaj Ymer Dragushës, duke i shqiptuar një dënim unik prej dy vjetësh burgim. Ky dënim vjen pas pranimit të fajësisë nga Dragusha në shkurt të vitit 2025, për katër akuza të lidhura me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.

Aktgjykimi përfshiu një vit burgim për pikën e parë të akuzës dhe nga tetë muaj burgim për secilën prej tri pikave të tjera. Përveç dënimit me burgim, Dragusha është obliguar të paguajë 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Dragusha, bashkë me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe avokatin Isuf Zejna, ishin akuzuar për vepra korruptive në KEK. Ata dyshohet se, gjatë viteve 2021-2023, i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme mbi 36 milionë euro. Veprat penale përfshijnë keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa Dragusha pranoi fajësinë dhe arriti marrëveshje me Prokurorinë, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna i mohuan akuzat. Gjykimi ndaj tyre është ende në proces.