Erlind Xhindi, një nga zërat aktivë të protestave, deklaroi se mbi 300 mijë qytetarë morën pjesë në tubimet e fundit, ku një rol kyç luajti diaspora. Ai u shpreh se populli e konsideron Edi Ramën si “ish-kryeministër”. Xhindi i uroi Ramës “101 pranvera në pension ose në arrati, sepse këtu tek ne nuk do jetë më”.
Biznesmeni kritikoi ashpër Sali Berishën dhe lidershipin e Partisë Demokratike. Ai theksoi se Berisha deklaroi mbështetje për protestën, por nuk bëri asnjë veprim konkret. Xhindi u shpreh se Berisha duhej të ishte i pari që të premtonte dorëheqjen, duke bërë një deklaratë të fortë politike. Partitë e vogla u mirëpritën si mbështetëse, por theksoi se protestuesit nuk i lejuan partitë të merrnin protagonizëm politik.
Lidhur me përplasjet para Kuvendit më 2 korrik, Xhindi akuzoi policinë për përdorim të dhunës “barbare” dhe gazit lotsjellës në mënyrë joproporcionale ndaj protestuesve, përfshirë gra dhe të moshuar. Ai shprehu dyshime se në radhët e forcave të rendit kishte “elementë patronazhistë”, jo policë të mirëfilltë, dhe kërkoi masa ndaj policëve që ushtrojnë dhunë fizike ndaj protestuesve të prangosur.