Përdoruesit e aplikacionit të mesazheve WhatsApp së shpejti do të mund të kontaktohen vetëm përmes një emri unik përdoruesi, njësoj si në platformat e tjera sociale. Kjo do t'u mundësojë atyre të ruajnë privatësinë e numrit të tyre të telefonit.
Aktualisht, WhatsApp ka nisur të lejojë disa përdorues të rezervojnë emrat e tyre. Ky funksion synon të rrisë privatësinë e mbi 3 miliardë përdoruesve në mbarë botën, siç njoftoi kompania. Alice Newton-Rex, zëvendëspresidente e produkteve në WhatsApp, theksoi se shumë njerëz do të kërkojnë emra të veçantë përdoruesi, prandaj procesi i rezervimit nisi më herët.
Emrat e përdoruesit do të kenë një gjatësi prej 3 deri në 35 karaktere. WhatsApp do të rezervojë emra të caktuar për persona ose institucione të njohura, duke përfshirë figura publike dhe organizata qeveritare, për të parandaluar mashtrimet. Nuk do të ketë një listë publike të username-ve dhe përdoruesit duhet të dinë emrin e saktë për të kontaktuar dikë.