Këtë vlerësim e ka bërë Arben Fetoshi, drejtor i Institutit “Octopus”, në një reagim pas deklaratës së Vuçiqit. Presidenti serb theksoi se Radoiçiq “kërkohet për shkak të Kosovës e Metohisë, e jo për shkak të krimit”.
Fetoshi e interpretoi këtë si legjitimim të operacionit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë. Ai theksoi se Vuçiq e paraqet Radoiçiqin si “patriot” që veproi në interes të Serbisë, duke mos e trajtuar si të dyshuar për vepra penale. Sipas Fetoshit, kjo nënkupton se arsenali i armëve, municionet dhe grupi i armatosur në Banjskë trajtohen si mjete për qëllime politike, jo si elemente krimi.
Kjo situatë, sipas Fetoshit, përfaqëson “përgjegjësi të deleguar”, ku shteti nuk pranon zyrtarisht autorësinë, por ofron mbrojtje institucionale. Ai kujtoi se Milan Radoiçiq akuzohet në Kosovë për sulm kundër rendit kushtetues, financim terrorizmi dhe pastrim parash, si dhe ka urdhër-arrest për krime lufte në Gjakovë. Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq janë hetuar më parë edhe në Serbi për kontrabandë dhe krim të organizuar.
Deklarata e Vuçiqit, përfundoi Fetoshi, konfirmon lidhjen e shtetit serb me strukturat kriminale në strategjinë ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë si kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.