Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, ka premtuar rreth 600 milionë euro pagesa njëhershme për pensionistët, përfituesit e ndihmës sociale dhe veteranët e luftës. Këto premtime bëhen në një kohë kur opozita i cilëson si blerje votash, ndërsa Vuçiq argumenton se vepron për mirëqenien e qytetarëve.

Paralelisht me këto premtime financiare, udhëheqësi serb ka njoftuar një largim të paqartë nga posti i kreut të shtetit. Sipas analizave, synimi i tij është të marrë postin e kryeministrit pas largimit nga presidenca. Kjo lëvizje vlerësohet si një manovrim për të ruajtur pushtetin, duke pasur parasysh dominimin e tij pothuajse të plotë në skenën politike serbe.

Një strategji e ngjashme është vërejtur edhe në periudhën 2014–2017, kur Vuçiq shërbeu si kryeministër. Nëse partia e tij fiton dhe ai bëhet kryeministër, në postin e presidentit pritet të emërohet një figurë besnike me detyra kryesisht ceremoniale. Ky model i ndërrimit të posteve, duke mbajtur kontrollin mbi pushtetin, është krahasuar me lëvizjen e Vladimir Putinit në vitin 2008.