Skender Musa, avokat, ka vlerësuar se numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar rritje vitet e fundit. Ai e lidh këtë dukuri me disa faktorë që i bëjnë qytetarët më agresivë.
Në një intervistë, Musa theksoi se kriza ekonomike, papunësia dhe problemet pronësore janë ndër çështjet kryesore që çojnë në kryerjen e veprave penale. Ai shtoi se vendimet gjyqësore aktuale nuk edukojnë dhe theksoi nevojën për një strategji gjithëpërfshirëse për të trajtuar këtë situatë.
Duke folur për rastin e fundit të tentativës për vrasje në Podujevë, Musa tha se ligjet në Kosovë janë të harmonizuara me ato të Bashkimit Evropian, por mentaliteti i kryerësve të veprave penale dallon. Sipas tij, vrasjet në Kosovë shpesh nuk planifikohen si në vendet e zhvilluara, por ndodhin nga inate momentale që kulmojnë shpesh me dhunë ose përdorim armësh. Ai i bëri thirrje qeverisë dhe institucioneve të ndërmarrin veprime për ndryshimin e këtij mentaliteti.
Avokati Musa e cilësoi reagimin e policit civil në Podujevë si profesional dhe të guximshëm, duke theksuar se ndërhyrja e tij shpëtoi jetë njerëzish. Në incidentin e Podujevës, katër persona u plagosën nga të shtënat, përfshirë një kalimtar të rastit, ndërsa personat e përfshirë në përleshje kishin lidhje familjare.