Vrasja ndodhi teksa Koçeku lëvizte me automjet në aksin Kir–Prekal. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë. Në vendngjarje, grupi hetimor sekuestroi 25 gëzhoja automatiku, të gjitha të qitura nga e njëjta armë. Ky fakt sugjeron se vrasja ishte e planifikuar.

Hetimet paraprake tregojnë se ndaj 40-vjeçarit është hapur zjarr me breshëri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ekspertët e kriminalistikës kanë kryer këqyrjen dhe po analizojnë provat. Hetuesit po verifikojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit të viktimës, pasi zona e krimit nuk ka mbulim kamerash.

Pista kryesore e hetimeve është një konflikt i vjetër mes familjeve Koçeku dhe Shkambi, që daton nga viti 2017. Atëherë, Artan Koçeku, vëllai i viktimës, vrau Angjelin Shkambin me armë zjarri, për të cilën po vuan dënimin me burg. Familjarët e Aleksandër Koçekut deklaruan para hetuesve se ai jetonte prej vitesh nën frikën e hakmarrjes, duke treguar kujdes në lëvizjet e tij.

40-vjeçari do të përcillet për në banesën e fundit të dielën, me ceremoni mortore në varrezat katolike të Grudës së Re. Policia dhe Prokuroria vijojnë punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.