Viktima, Aleksandër Koçeku, u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi policinë. Në vendngjarje u sekuestruan 25 gëzhoja automatiku, të gjitha të lëshuara nga e njëjta armë. Kjo rrethanë forcon dyshimet se atentati ishte i planifikuar.
Hetimet paraprake tregojnë se Koçeku vdiq menjëherë pas plagëve. Ekspertët e kriminalistikës po analizojnë provat, ndërsa hetuesit po verifikojnë pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit të viktimës, pasi zona e krimit nuk mbulohet nga kamera.
Pista kryesore e hetimeve është hakmarrja, për shkak të një konflikti të vjetër mes familjeve Koçeku dhe Shkambi. Ky konflikt daton nga viti 2017, kur Artan Koçeku, vëllai i viktimës, vrau Angjelin Shkambin. Artan Koçeku aktualisht vuan dënimin në burg.
Familjarët e viktimës kanë deklaruar se Aleksandër Koçeku jetonte nën frikën e hakmarrjes dhe tregohej i kujdesshëm në lëvizjet e tij. Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.