Zbardhja e të dhënave nga pajisjet elektronike të sekuestruara në zyrat e Armand Shakajt ka nxjerrë në pah informacione lidhur me llogari kriptomonedhash. Këto zbulime forcojnë tezën e hetuesve se vrasja e Eglant Koçit mund të ketë pasur motive financiare të lidhura me aktivitetin e kriptomonedhave.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se këto prova, të zbardhura në Laboratorin Kriminalistik, pritet të kenë një ndikim të rëndësishëm në ecurinë e çështjes. Bazuar në këto gjetje, grupi hetimor po shqyrton mundësinë e ndryshimit të akuzës aktuale nga “vrasje me dashje” në një vepër penale më të rëndë.

Armand Shakaj akuzohet se vrau shokun e tij, Eglant Koçin, dhe më pas e hodhi trupin e pajetë në një humnerë në rrethinat e Elbasanit. Trupi i viktimës u gjet pas dy javësh në proces dekompozimi, dhe ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se vdekja kishte ardhur nga një plumb në kokë.

Shakaj aktualisht është në arrati, ndërsa po vazhdojnë negociatat me familjarët e tij për t'u vetëdorëzuar pranë autoriteteve.