Llapushi deklaroi se nuk mohon tragjedinë dhe humbjen e jetës së viktimës, por këmbëngul se nuk ka pasur qëllim për të vrarë. Sipas tij, ngjarja e tetorit 2021 në një restorant në Labinot të Elbasanit ishte pasojë e një goditjeje të vetme me grusht, pa përdorim arme, pa planifikim dhe pa konflikt të mëparshëm.

Ai shprehet se nuk kërkon mëshirë, por drejtësi, dhe nuk pranon të quhet vrasës me dashje. Llapushi pretendon se gjykata nuk ka vlerësuar drejt rrethanat dhe ngre pyetje përse ndaj tij u aplikua akuza më e rëndë, krahasuar me raste të tjera të ngjashme.

Gjithashtu, ai thekson se familja e viktimës ka normalizuar marrëdhëniet me familjen e tij përmes një akti noterial të vitit 2021 dhe pyet nëse ky dokument u mor parasysh. Llapushi akuzon institucionet ligjzbatuese, duke pretenduar se është ekspozuar padrejtësisht si i kërkuar dhe ka qenë objekt i një përndjekjeje të vazhdueshme nga Policia e Shtetit. Ai kërkon verifikim institucional për mënyrën e ngritjes së akuzës, zhvillimin e procesit gjyqësor, dhe procedurat e përgjimit të banesës.

Llapushi deklaron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për zbardhjen e çështjes dhe kërkimin e përgjegjësive institucionale. Ngjarja ndodhi më 2 tetor 2021, ku konflikti nisi për një tavolinë të rezervuar, dhe kamarieri Gazment Kurmaku humbi jetën pas dhunës.