Denis Meçe dhe Leonidha Guçe akuzohen për “vrasje me dashje, të kryer në bashkëpunim”. Për ta, Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Arjan Manellari, Voltan Shkulaku dhe Andi Shkulaku përballen me akuzat e moskallëzimit të krimit dhe kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, të kryera në bashkëpunim. Këta tre persona vazhdojnë të hetohen nën masën “detyrim paraqitjeje”.

Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, Egli Proga humbi jetën si pasojë e një hemorragjie cerebrale, shkaktuar nga një goditje me grusht në kokë. Prokuroria e ka mbështetur akuzën në ekspertizën mjeko-ligjore, dëshmitë e personave të pyetur, pamjet e kamerave të sigurisë dhe prova të tjera të administruara.

Në fillim, rasti u hetua me një tjetër kualifikim penal, por akuza u rikualifikua në “vrasje me dashje” pas administrimit të provave të reja. Familjarët e viktimës kanë zhvilluar protesta dhe kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke kërkuar hetim edhe për veprimet e institucioneve pas krimit.

Pas dërgimit të dosjes në gjykatë, procesi gjyqësor pritet të nisë në javët në vijim.