Takimi u zhvillua në një moment delikat për marrëdhëniet BE-Turqi. Von der Leyen synon të gjejë ekuilibrin mes nevojës për bashkëpunim dhe shqetësimeve të Brukselit për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut në Turqi. Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, gjithashtu iu bashkua darkës.
Zëvendëszëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill, theksoi se Turqia është një partnere e rëndësishme, me interesa strategjike të përbashkëta në shumë fusha. Eurodeputeti Engin Eroglu e cilësoi takimin si një mundësi për rivendosjen e dialogut dhe uljen e tensioneve, duke i dhënë marrëdhënies një drejtim më pragmatik, të fokusuar te siguria.
Një mundësi bashkëpunimi është përfshirja e Turqisë në programin evropian SAFE, për financimin e industrisë së mbrojtjes, megjithëse pjesëmarrja e plotë është bllokuar nga Greqia dhe Qiproja. Javën e kaluar, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, vizitoi Ankaranë dhe riafirmoi angazhimin ndaj multilateralizmit dhe rolit të Turqisë si partner kyç për sigurinë, migracionin dhe energjinë, si dhe vend kandidat për anëtarësim në BE.
Megjithatë, shqetësimet mbeten. Eurodeputetja polake Joanna Scheuring-Wielgus theksoi se bashkëpunimi nuk duhet të cenojë vlerat themelore të BE-së. Ajo përmendi përkeqësimin e demokracisë, kufizimin e lirisë së medias dhe shtypjen e opozitës, duke përfshirë arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoğlu. Ajo shtoi se çdo përparim në marrëdhëniet BE-Turqi varet nga përmirësime konkrete në këto fusha.