Granit Pepnika, 29 vjeç, u la në 'arrest në burg' nga Gjykata e Vlorës, pas akuzës për 'armëmbajtje pa leje'. Ky vendim vjen pas arrestimit të tij në një vilë në Dhërmi, ku u gjetën një pistoletë dhe lëndë narkotike e dyshuar kanabis.

Së bashku me Pepnikën, u arrestuan edhe Xhoni Hitaj dhe Redion Rexhmati, të cilët gjithashtu u lanë në masën e sigurisë 'arrest në burg'. Një prej tyre dyshohet si bashkëpunëtor në rrjetin e mashtrimeve me call center.

Pepnika akuzohet gjithashtu për 'mashtrim kompjuterik' nëpërmjet call centerave. Ai dyshohet si një nga organizatorët e këtij rrjeti, që mashtronte qytetarë të Bashkimit Europian, duke i bindur të investonin në platforma të rreme bursash. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga kjo skemë mashtrimi vlerësohet të jetë mbi 50 milionë euro. Për këtë vepër penale, Pepnika kishte tashmë një masë sigurie 'arrest në burg' në mungesë, caktuar nga Gjykata e Tiranës.