Një 32-vjeçar u arrestua nga Policia e Vlorës pasi u kap me armë zjarri dhe një radio policie në automjet. Operacioni i koduar “Siguria” u finalizua në lagjen “Lef Sallata”, ku i riu, me iniciale E.M., banues në fshatin Peshkëpi, u ndalua.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Audi” me të cilin qarkullonte, shërbimet policore zbuluan dhe sekuestruan një pistoletë, dy krehra me 22 fishekë, një mbajtëse plastike me 18 fishekë, si dhe një radio të ngjashme me pajisjet e Policisë së Shtetit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. 32-vjeçari akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”. Operacioni u zhvillua pas informacioneve operative mbi qarkullimin e një personi të armatosur në qytet, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.