Premtimi për gjashtë spitale moderne rajonale, të menaxhuara nga komunat dhe të financuara nga buxheti publik ose partneriteti publik-privat (PPP), mbetet i parealizuar. Programi zgjedhor i VLEN-it parashikonte nga një spital për çdo 100.000 banorë në rajonet ku jetojnë shqiptarët.

Edhe pse Ministria e Shëndetësisë është udhëhequr nga kuadro të VLEN, fillimisht Arben Taravari dhe më pas Azir Aliu, ndërtimi i këtyre spitaleve nuk ka avancuar. Partia nuk iu është përgjigjur kërkesave për sqarime mbi mosrealizimin e këtij premtimi.

Përveç këtij projekti, VLEN premtoi edhe hapjen e klinikave të mjekësisë familjare për çdo 5.000 banorë, përfshirë zonat rurale, si dhe poliklinika për çdo 20.000 banorë në nivelin primar. As këto premtime nuk janë konkretizuar.

Një tjetër projekt shëndetësor që ka ngecur është ndërtimi i Spitalit të Kërçovës. Sistemi shëndetësor i vendit përballet me kushte të papërshtatshme, mungesë investimesh dhe sidomos me mungesë stafi mjekësor. Të dhënat tregojnë një rënie prej 2000 mjekësh në vend gjatë dhjetë viteve të fundit.