Ndryshimet në Kodin Zgjedhor përbëjnë një proces kyç për Agjendën Reformuese dhe afrimin e vendit me standardet evropiane, deklaruan sot deputetët e VLEN. Ata kërkuan që procesi të mos kufizohet në çështje teknike, por të zgjerojë pjesëmarrjen demokratike.

Deputeti Bekim Qoku theksoi se VLEN ka kërkuar që në takimin e liderëve krijimin e mundësive për votim më të lehtë për diasporën. Ai shtoi se është thelbësore që diaspora të ketë mundësi të votojë, qoftë përmes votimit elektronik apo formave të tjera të sigurta, transparente dhe të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Sipas Qokut, bllokadat me mijëra amendamente nuk i shërbejnë procesit. Ai tha se qytetarët presin zgjidhje dhe dialog, jo pengesa. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të bazohen në rekomandimet e ODIHR-it të OSBE-së dhe në detyrimet e Agjendës Reformuese. VLEN mbështet çdo zgjidhje që e bën procesin zgjedhor të hapur dhe gjithëpërfshirës.

Reformat nuk duhet të jenë për interesa partiake, por për qytetarët dhe të ardhmen evropiane të vendit. Qoku theksoi se diaspora nuk është vetëm për remitenca, por duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes. Kjo kërkesë është ngritur që në takimin e liderëve dhe do të mbrohet gjatë gjithë procesit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.