Komisioni për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve në AUV ka njoftuar se konstatimet fillestare tregojnë që subjekti ka thyer vendimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, të datës 10 maj 2026. Ky vendim ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të ngjashëm në fabrikat përpunuese të qumështit.
Durak Zyraku, kryesues i Komisionit dhe udhëheqës i Zyrës Rajonale të Prizrenit, theksoi se ky konstatim bazohet në gjetjet e inspektorëve në terren. Zyraku sqaroi se ai dhe disa zyrtarë të tjerë nuk ishin pjesë e inspektimit brenda fabrikës, duke hedhur poshtë raportimet për praninë e të gjithë komisionit gjatë kontrollit.
Eroll Shehu, udhëheqës i Inspektoratit të AUV, tha se procesi i inspektimit është zhvilluar në mënyrë transparente. Megjithatë, institucioni do të bëjë publike gjetjet përfundimtare vetëm pas marrjes së rezultateve të analizave laboratorike. Shehu shtoi se operatori lejoi qasje të plotë në të gjitha hapësirat e fabrikës dhe se linja e prodhimit të qumështit të freskët është e ndarë fizikisht nga ajo e produkteve me origjinë bimore.
Drejtori i përgjithshëm i fabrikës Vita, Artan Spahija, deklaroi më parë se pezullimi i përkohshëm i grumbullimit të qumështit ishte vendim i bordit të kompanisë, jo masë e institucioneve. Ai kërkoi publikimin e shpejtë të rezultateve laboratorike për sqarimin e situatës.