Tensione shpërthyen më 28 qershor në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, një festë ortodokse serbe që përkujton Betejën e Kosovës të vitit 1389. Policia e Kosovës arrestoi 37 persona pas ceremonisë, pasi disa prej tyre brohoritën slogane nacionaliste, duke përfshirë “Kosovo je Srbija”, bënë përshëndetjen me tre gishta dhe ndërmorën veprime që nxitën urrejtje dhe prishën rendin publik.
Më 1 korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë 36 persona për kundërvajtje, duke i gjobitur me nga 700 euro. Nga këta, 22 u dëbuan nga Kosova me ndalesë hyrjeje për tre vite, përfshirë edhe shtetas malazezë, për të cilët reagoi presidenca e Malit të Zi.
Pas këtyre zhvillimeve, Avokati i Popullit dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) iniciuan hetime lidhur me pretendimet për keqtrajtim fizik dhe psikologjik të të arrestuarve nga zyrtarët policorë. Disa të arrestuar dhe avokatët e tyre akuzuan policinë për rrahje, fyerje etnike dhe detyrim për të brohoritur “Kosova Republikë”.
Ngjarja nxiti një valë pretendimesh në mediat serbe dhe deklarata nga zyrtarët në Beograd për “dëbim të serbëve” nga Kosova. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilësoi aksionin policor si “akt çnjerëzor”. Megjithatë, deri më tani nuk ekziston asnjë dokument apo raport ndërkombëtar që konfirmon një politikë shtetërore të Kosovës për dëbimin e serbëve.