Ish-anëtarja e Spice Girls dhe stilistja Victoria Beckham synon të hyjë në tregun e arredimit të brendshëm. Ajo po punon për një koleksion të ri, i cili do të transformojë emrin “Victoria Beckham” në një markë të plotë stili jetese, e vlerësuar tashmë me rreth 85 milionë euro.

Koleksioni i ri do të përfshijë një gamë të gjerë artikujsh premium, si pjata, gota, filxhanë, takëme, enë kuzhine, mobilje, jastëkë dekorativë dhe vazo. Ky zgjerim përfaqëson hapin e radhës në strategjinë e saj për të shkuar përtej modës dhe kozmetikës.

Beckham njoftoi gjithashtu planet për hapjen e dy dyqaneve fizike në Nju Jork dhe Majami, me qëllim kontrollin e plotë të eksperiencës së klientëve me markën. Ajo theksoi potencialin e madh për rritje dhe zgjerim në kategori të reja. Biznesi i saj është bërë fitimprurës pas një periudhe sfidash financiare, një sukses që stilistja e vlerëson si të rëndësishëm.

Ndërkohë, ajo ka hedhur poshtë zërat për një rikthim muzikor me Spice Girls, duke deklaruar se ajo fazë i përket së shkuarës.