Venezia, ekipi i sapongjitur në Serie A, po forcon skuadrën për sezonin e ri. Pas disa afrimeve të rëndësishme si Toma Basic, Mikael Ishak Helgason, Lisman, Armel Bella-Kotchap dhe Correia, fokusimi është te sulmuesi nga Kosova, Albion Rrahmani. Ai ka kaluar dy sezone të suksesshme te Sparta e Pragës.

Gazetari italian Gianluca di Marzio i ka kushtuar një shkrim të gjatë karrierës së Rrahmanit. Rrahmani nisi rrugëtimin te Llapi në Podujevë, përpara se të kalonte te Ballkani në vitin 2021. Në Superligën e Kosovës, ai shënoi 34 gola dhe dha nëntë asistime në 68 paraqitje me fanellën e Ballkanit, duke fituar dy tituj kampion dhe duke u shpallur dy herë golashënuesi më i mirë.

Më pas, Rrahmani u transferua te Rapid Bukureshti në verën e vitit 2023. Në sezonin e tij të vetëm në Rumani, ai realizoi 18 gola dhe gjashtë asistime në 29 ndeshje. Sparta e Pragës investoi pesë milionë euro për kartonin e tij verën e kaluar. Debutimi në kampionatin çek, në ditëlindjen e tij të 24-të, u shoqërua me gol dhe asistim.

Në aventurën e tij me Sparta e Pragës, Rrahmani shënoi 26 gola dhe dha gjashtë asistime në 83 paraqitje, duke qenë vendimtar në ndeshje si ajo kualifikuese e Ligës së Kampionëve kundër Malmos dhe duke shënuar edhe në fazën e ligës ndaj Feyenoordit. Venezia pritet të paguajë rreth 7 milionë euro për transferimin e tij.