Paneli Gjyqësor e ka argumentuar shtyrjen e shpalljes së vendimit me kompleksitetin e lëndës dhe sasinë e madhe të provave. Gjatë procesit janë marrë dëshmi nga 270 dëshmitarë, janë pranuar 5,467 prova materiale dhe transkripti i gjykimit përbën 29,238 faqe.
Dhomat e Specializuara theksuan se ky zgjatim ishte i nevojshëm për një vlerësim të argumentuar, gjithëpërfshirës dhe të drejtë të provave, si dhe për të siguruar një arsyetim me shkrim që reflekton saktësisht provat. Pushimet verore të gjykatës nuk kanë ndikuar në caktimin e datës së shpalljes së vendimit, pasi gjykata mbetet plotësisht funksionale gjatë kësaj periudhe.
Avokati Artan Qerkini e ka konsideruar shtyrjen të paarsyeshme, duke vënë në dukje se paneli kishte kohë të mjaftueshme për të marrë një vendim dhe se parimi i gjykimit brenda një kohe të arsyeshme është shkelur. Në anën tjetër, avokati Skënder Musa vlerësoi shtyrjen si të drejtë dhe të arsyeshme për shkak të materialit të gjerë, por theksoi nevojën për rishikimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria e Specializuar ka kërkuar nga 45 vjet burgim për ish-udhëheqësit, ndërsa avokatët mbrojtës kanë kërkuar lirimin e tyre. Ish-udhëheqësit akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë në paraburgim që nga viti 2020, megjithëse gjykimi filloi në prill 2023.