Komandanti i stacionit policor në Suharekë, Safet Hoxha, dha detaje për ngjarjen tragjike. Sipas tij, viktima ishte bashkë me babain dhe vëllain në bjeshkë kur u godit direkt nga rrufeja, ndërsa ata ndodheshin 4-5 metra larg. Babai dhe vëllai pësuan goditje indirekte, por pa lëndime trupore.

Ata bartën trupin e 26-vjeçarit për rreth një kilometër në terrenin e vështirë dhe pa rrugë. Më pas, ata u takuan me një qytetar me veturë, me të cilin vazhduan rrugën drejt ekipeve mjekësore. Këto ekipe konstatuan mungesën e shenjave të jetës. Viktima u dërgua më pas në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mushtisht, ku mjeku konfirmoi sërish vdekjen. Terreni i largët dhe i vështirë vështirësoi ndërhyrjen e shpejtë të ekipeve policore dhe mjekësore.