Autoritetet në Varenna, një fshat me rreth 650 banorë, vendosën masat e reja për të ruajtur imazhin e vendit dhe për të garantuar qetësinë e banorëve. Ecja në fshat pa bluzë ose me rroba banje, të cilat janë të rezervuara për plazhet buzë liqenit ose udhëtimet me varkë, tani është e ndaluar. Shkelësit rrezikojnë gjoba nga 50 deri në 200 euro.

Rregullat e reja kufizojnë gjithashtu grupet turistike në jo më shumë se 25 persona. Këto grupe nuk duhet të bllokojnë rrugët e ngushta me kalldrëm të Varennës. Guidave u është ndaluar përdorimi i altoparlantëve.

Kryebashkiaku i Varennës, Mauro Manzoni, deklaroi se cilësia e jetës së banorëve nuk mund të sakrifikohet për shkak të turizmit masiv. Rregullat, të cilat janë në fuqi prej disa ditësh, janë mirëpritur nga banorët, veçanërisht kodi i veshjes.

Varenna nuk është i vetmi qytet italian që ka vendosur masa të ngjashme për të menaxhuar turizmin e tepërt. Në vitin 2022, Sorrento vendosi gjoba për ecjen me rroba noti dhe gjoks të zhveshur. Portofino, një qytet bregdetar luksoz, ndaloi selfiet në disa zona dhe caktoi “zona pa pritje” në vitin 2023.