Mbi 165 milionë njerëz në Bregun Lindor dhe rajonin e Midwest u përballën me temperatura rekord. Kushtet e rrezikshme bënë që shumë aktivitete në natyrë të pezulloheshin. Një panair i madh në kryeqytet, i planifikuar për 250-vjetorin e SHBA-së, u mbyll përkohësisht pasi disa pjesëmarrës shfaqën probleme shëndetësore nga temperaturat e larta. Disa persona u transportuan me ambulancë.
Festime të shumta u anuluan në Pensilvani, Nju Xhersi, Maryland dhe Kolorado. Kjo përfshiu një paradë të madhe në Filadelfia, e cila ishte parashikuar si një nga ngjarjet kryesore të festës. Autoritetet lokale në Uashington, DC, dhe qytete të tjera lëshuan paralajmërime për rrezikun e lartë nga nxehtësia, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell. Disa ngjarje zyrtare u shtynë ose u riplanifikuan për arsye sigurie.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA thekson se temperaturat në disa zona i janë afruar niveleve historike. Meteorologët paralajmërojnë se vala e nxehtit mund të vazhdojë, ndërsa priten edhe stuhi të forta në disa rajone. Ekspertët theksojnë se frekuenca dhe intensiteti i valëve të tilla të nxehtit po rritet si pasojë e ndryshimeve klimatike globale.