Temperaturat rekord, që arritën dhe kaluan 40 gradë Celsius, sollën ndërprerje të transportit publik në qytete si Lajpcigu, Eseni, Nyrnbergu, Würzburgu dhe Bremeni. Shkak ishte dëmtimi i materialit mes shinave të tramvajit nga nxehtësia ekstreme. Problematika u shfaq edhe në rrjetin rrugor, ku disa autostrada të ndërtuara me pllaka betoni pësuan çarje dhe zhvendosje të sipërfaqes.
Edhe sektori i bujqësisë u prek rëndë. Fermerët ndërmorën masa shtesë për të mbrojtur prodhimet, duke përfshirë ujitje intensive dhe teknika mbrojtëse për pemët frutore.
Ministri federal i Mjedisit, Carsten Schneider, pranoi se Gjermania nuk është plotësisht e përshtatur për valë të tilla nxehtësie. Ai theksoi rëndësinë e shtimit të gjelbërimit në qytete dhe reduktimit të sipërfaqeve të betonizuara. Ekspertët paralajmërojnë se përshtatja e plotë e infrastrukturës dhe bujqësisë ndaj klimës së re kërkon kohë, madje edhe dekada.
Një shqetësim tjetër madhor është furnizimi me ujë. Rënia e niveleve të ujërave nëntokësore mund të ketë pasoja të rënda si për industrinë, ashtu edhe për jetën e përditshme të qytetarëve.