Në kazermën “Ilinden” në Shkup u bë prezantimi zyrtar i pajisjeve të siguruara përmes Fondit Evropian për Paqen. Pajisjet janë ndarë në tre paketa, prej të cilave dy të parat kanë mbërritur tashmë. Ato përfshijnë radarë, kamera termike, automjete transporti, simulatorë, radarë 3D dhe sensorë portativë. Paketa e tretë do të përmbajë pajisje për logjistikën, njësitë e komunikimit dhe këmbësorisë.

Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski dhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas. Ambasadori Rokas theksoi rëndësinë e sigurisë si pjesë thelbësore e partneritetit me BE-në, veçanërisht pas nënshkrimit të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje në vitin 2024.

Kryeministri Mickoski falënderoi BE-në për donacionin, duke vlerësuar Ushtrinë e Maqedonisë së Veriut për profesionalizmin dhe përkushtimin e saj si pjesë e NATO-s. Ai ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të përmbushur detyrimet ndaj NATO-s dhe ruajtjen e investimeve në mbrojtje në rreth 4% të PBB-së. Sipas tij, investimi në ushtri mbetet prioritet për të garantuar një forcë moderne, të gatshme dhe konkurruese.

Këshilli i BE-së miratoi më 25 prill 2025 një masë ndihme prej 15 milionë eurosh, duke e çuar mbështetjen totale dypalëshe të EPF-së në 38 milionë euro. Kjo mbështetje do të rrisë gjithashtu potencialin e Maqedonisë së Veriut për të kontribuar në misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së.