Një person është identifikuar si autor i dyshuar i sulmit me bombë që ndodhi në Monako. Shpërthimi plagosi rëndë një biznesmen ukrainas, i sanksionuar nga Ukraina, si dhe partneren dhe djalin e tij 13-vjeçar.
Prokuroria e Principatës së Monakos njoftoi se ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për të dyshuarin. Ky person do të futet në listën e njoftimeve të kuqe të Interpolit, duke mundësuar kapjen e tij ndërkombëtarisht. Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari, i cili ishte filmuar nga kamerat e sigurisë, mund të jetë një grua e maskuar si burrë.
Prokurori i Përgjithshëm i Monakos, Stephane Thibault, vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe gjyqësor, i cili bëri të mundur identifikimin e shpejtë të autorit të dyshuar. Një hetim gjyqësor për tentativë vrasjeje dhe vepra të tjera penale është hapur, i drejtuar nga tre gjyqtarë hetues.
Sulmi ndodhi të hënën mbrëma, kur një pako shpërtheu në hyrjen e një pallati. Tre banorët, që po hynin në ndërtesë në atë moment, pësuan plagë të rënda. Djali 13-vjeçar u dërgua në spitalin pediatrik në Nicë, ndërsa dy të rriturit u transportuan në Spitalin Universitar të Nicës. Edhe pse gjendja e biznesmenit u stabilizua, partnerja e tij vijon të jetë në gjendje të paqëndrueshme.
Biznesmeni, Vadym Iermolaiev, 58 vjeç, shtetas i Qipros me origjinë ukrainase, ishte objekt i sanksioneve nga Ukraina që prej dhjetorit 2023. Këto sanksione lidhen me aktivitetet e tij biznesore në Krime, gadishull i aneksuar nga Rusia, dhe pretendimet për pagesë taksash ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Shpërthimi ka shkaktuar tronditje në Monako, një mikroshtet i njohur për sigurinë e lartë.