Unaza prej ari 18-karatësh, e zbukuruar me 321 diamante, 56 safirë, 13 smeraldë dhe gjashtë rubinë, u krijua për të shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. E quajtur “Liria 250”, unaza iu dorëzua ambasadorit amerikan në Belgjikë, Bill White, gjatë një ceremonie festive në Bruksel, me qëllim që t'i dërgohej ish-liderit amerikan. Në një mesazh video të regjistruar, Trump falënderoi komunitetin e diamanteve të Antwerpit për dhuratën, duke e cilësuar atë "madhështore".

Bizhuteria frymëzohet nga unazat e kampionatit Super Bowl dhe përmban simbole të shumta amerikane. Ajo është gdhendur me vitet 1776 dhe 2026, numrat 45 dhe 47, që i referohen mandateve presidenciale të Trump, si dhe një shqiponjë me mburojë rubini dhe një degë ulliri smeraldi. Brendësia e unazës mban mbishkrimin: "Punuar në Antwerp për Donald John Trump".

Kjo dhuratë vjen disa muaj pasi industria belge e diamanteve përfitoi nga heqja e tarifave amerikane për importet e diamanteve të lustruara, zhvillim ky që konsiderohet thelbësor për eksportet e Antwerpit në tregun amerikan. Megjithatë, përfaqësues të Qendrës Botërore të Diamanteve të Antwerpit (AWDC) kanë mohuar se kanë lobuar drejtpërdrejt administratën amerikane. Vlera e unazës vlerësohet midis 25,000 dhe 35,000 dollarësh. Ekspertë të etikës në SHBA kanë ngritur pyetje mbi pranimin e dhuratave kaq luksoze nga presidenti, duke theksuar se kjo bie në kundërshtim me praktikën tradicionale të Shtëpisë së Bardhë për shmangien e dhuratave me vlerë të lartë.