Situata, e cila ka nisur prej rreth një jave, ka përkeqësuar gjendjen mjedisore dhe shëndetësore për banorët. Ankesat e tyre drejtuar institucioneve kompetente nuk kanë sjellë zgjidhje konkrete, pavarësisht premtimeve për ndërhyrje nga Ujësjellësi.

Një banor deklaroi se problemi është bërë i përhershëm që nga vërshimet e mëparshme, me bllokim të vazhdueshëm të kanalizimit. Një tjetër theksoi se gjendja është përkeqësuar pas reshjeve të fundit, pa asnjë ndërhyrje për rregullimin e saj.

Daim Luçi, këshilltar i AKI-së në Qytetin e Shkupit, e cilësoi të papranueshëm mosreagimin e institucioneve. Ai vuri në dukje erën e rëndë dhe rrezikun shëndetësor që paraqet situata, duke theksuar se kjo neglizhencë është bërë e zakonshme në lagjet me shumicë shqiptare. Luçi bëri thirrje që Komuna të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme nga Qyteti i Shkupit.

Qyteti i Shkupit nuk ka dhënë asnjë përgjigje lidhur me këtë problem. Kujtojmë se reshjet e mëparshme kanë shkaktuar dëme materiale në pjesë të ndryshme të qytetit.