Zoti Trump kontaktoi zotin Infantino për të shqyrtuar rastin e Balogun, i cili rrezikonte të mungonte në sfidën e 1/16 së finales kundër Belgjikës. Pas kësaj ndërhyrjeje, FIFA mori vendimin për të pezulluar zbatimin e dënimit, duke lejuar Balogun të luante kundër Belgjikës. Ky vendim është i rrallë, pasi është hera e parë që nga viti 1962 që një futbollist i pezulluar automatikisht pas një kartoni të kuq, lejohet të luajë në Kupën e Botës.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane, përfshirë sekretarin e Tregtisë Howard Lutnick dhe Andrew Giuliani, u angazhuan me avokatë për të ndihmuar Federatën Amerikane të Futbollit në apelimin e rastit, pavarësisht se rregulloret e FIFA-s nuk parashikojnë një procedurë të tillë. Argumenti kryesor ishte se kartoni i kuq ishte dhënë gabimisht, pasi gjyqtari kishte përdorur pamjet me lëvizje të ngadaltë gjatë rishikimit me VAR.

Pas rikthimit të Balogunit në lojë, zoti Trump zhvilloi një tjetër bisedë telefonike me zotin Infantino, duke e përgëzuar për vendimin. Ai gjithashtu kontaktoi trajnerin e SHBA-së, Mauricio Pochettino, për t'i uruar fat në ndeshjen kundër Belgjikës. Vendimi i FIFA-s shkaktoi reagim të ashpër nga Federata e Futbollit e Belgjikës, e cila deklaroi se ishte “e habitur” dhe po shqyrtonte të gjitha opsionet ligjore. FIFA sqaroi se pezullimi i Balogunit është shtyrë për një periudhë prove njëvjeçare.