Donald Trump ndërhyri personalisht pranë FIFA-s për të anuluar pezullimin e futbollistit amerikan Folarin Balogun. Sulmuesi i SHBA-së mori një karton të kuq në ndeshjen kundër Bosnjës dhe Hercegovinës, por ky pezullim u hoq, duke i hapur rrugën Balogun të jetë në fushë kundër Belgjikës.
Raportohet se Trump telefonoi tre herë FIFA-n, duke filluar nga e mërkura, për t'u siguruar për ndryshimin e vendimit. Ai falënderoi FIFA-n publikisht për pezullimin e kartonit të kuq, duke shkruar në platformën e tij Truth Social: “Faleminderit FIFA-s që bëtë atë që ishte e drejtë dhe përmbysët një padrejtësi të madhe!”
Komiteti disiplinor i FIFA-s njoftoi se vendimi u mor në përputhje me Nenin 27 të kodit disiplinor, i cili lejon pezullimin e kartonave të kuq, për sa kohë disiplina nuk lidhet me manipulimin e ndeshjeve. Balogun do të jetë në një periudhë prove prej një viti. Kartoni i kuq mbetet teknikisht në dosjen e tij dhe nëse ai kryen një shkelje të ngjashme gjatë kësaj periudhe, do të vuajë pezullimin prej një ndeshjeje.
Ky vendim rrit ndjeshëm shanset e SHBA-së për të arritur në çerekfinale të Kupës së Botës, për herë të parë që nga viti 2002. Balogun ka shënuar tre gola në tre ndeshje si titullar në këtë turne, duke u bërë një kërcënim i vazhdueshëm për kundërshtarët.